Eurodeputetja e Partisë së Të Gjelbërve Evropianë, Cristina Guarda, ka konfirmuar se një delegacion i kësaj force politike do të vizitojë Shqipërinë në ditët në vijim, në një mision të fokusuar te protestat e qytetarëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, e çështjet mjedisore.
Në deklaratën e saj, Guarda thekson se qëllimi i vizitës është takimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe shoqërinë civile, për të kuptuar më thellë protestat që po zhvillohen në vend “pa ndërmjetësim institucional”. Sipas saj, protestat lidhen me çështje mjedisore, të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe kërkesën për një model zhvillimi që nuk varet nga interesat private dhe spekulative.
“Po vijmë për t’ju takuar dhe për të kuptuar drejtpërdrejt domethënien e këtyre protestave,” thuhet në mesazhin e saj publik.